Maska prej rrobe për fëmijë gjatë COVID-19

maska fytyre

*Ky artikull është për maskat e fytyrës prej rrobe, duke patur parasysh që llojet e tjera të maskave janë në mungesë dhe duhet të ruhen për personelet mjekësore.

Siç e dimë, tashmë në vendin tonë, fashat e orareve janë zgjatur e shpeshtuar për të rriturit e fëmijët.

Ky sa lajm i mirë, aq edhe mbart me vete riskun e një vale të dytë të transmetimit të COVID-19 në rast se nuk tregohemi të kujdesshëm për veten dhe fëmijët tanë.

Si profesionistë të shëndetit publik e shohim të nevojshme, të ndajmë me ju udhëzuesit e Akademisë Amerikane të Pediatërve (AAP)[1] dhe Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në lidhje me përdorimin e maskave prej rrobe te fëmijët gjatë COVID-19.

Për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga COVID-19, tani Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandon që maskat e fytyrës të përdoren kur ndodhemi jashtë shtëpie.

Po për fëmijët?

Lexoni përgjigjet për disa nga pyetjet më të shpeshta rreth maskave prej rrobe tek fëmijët gjatë pandemisë së COVID-19.

Pse janë njerëzit duke veshur maska prej rrobe tani?

Meqenëse kaq shumë njerëz që kanë COVID-19 dhe nuk kanë simptoma, vendosja e maskave zvogëlon mundësinë e transmetimit të virusit përmes spërkave të pështymës ose pikëlave të frymëmarrjes. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur dikush me COVID-19 afrohet në distancën më pak se 1.8 metër (6 feet) nga ju, që është dhe rrezja e transmetimit të infeksionit përmes veprimeve, si: teshtitja ose kollitja.

A duhet të vendosin fëmijët maska rrobe për të mbuluar fytyrën?

Fëmijët nën moshën 2 vjeç nuk duhet të veshin maska rrobe për fytyrën.

Kur është e nevojshme që fëmijët të vendosin maska?

Ka vende ku fëmijët duhet të vendosin maska për fytyrën. Kjo përfshin vendet ku ata mund të mos jenë në gjendje të shmangin qëndrimin rreth 2 metra larg nga të tjerët. Për shembull, nëse duhet t’i çoni tek mjeku, në farmaci ose dyqanet ushqimore.

Sidoqoftë, ka vende të tjera ku fëmijët NUK kanë nevojë të vendosin një maskë:

  • Në shtëpi, duke supozuar se ata nuk janë ekspozuar ndaj askujt me COVID-19.
  • Jashtë, për aq kohë sa fëmijët mund të qëndrojnë të paktën 2 metra larg nga të tjerët dhe mund të shmangin prekjen e sipërfaqeve. Për shembull, nuk ka problem nëse bëni një shëtitje për aq kohë sa fëmijët tuaj qëndrojnë rreth 2 metra larg nga të tjerët dhe nuk prekin tavolina, burime uji, objekte te këndi i lojërave ose gjëra të tjera që njerëzit e infektuar mund të kenë prekur.

Kujdes: Mund t’ju duhet të rishqyrtoni përdorimin e maskave të fytyrës nëse:

  • Maskat e fytyrës janë një rrezik i mundshëm për mbytje, marrje fryme apo bllokimi për fëmijën tuaj.
  • Vendosja e maskës së fytyrës bën që fëmija juaj ta preki fytyrën më shpesh sesa kur nuk e ka atë.

Qëndrimi në shtëpi dhe distanca fizike është ende mënyra më e mirë për të mbrojtur familjen tuaj nga COVID-19. Sidomos për fëmijët e vegjël të cilët mund të mos e kuptojnë pse nuk mund të shkojnë drejt njerëzve të tjerë ose të prekin gjërat që nuk duhet. Më e mira është t’i mbani ata në shtëpi. Fëmijët që janë të sëmurë (ethe, kollë, bllokim, rrjedhje hundësh, diarre ose të vjella) nuk duhet të dalin nga shtëpia.

Po sikur fëmija im të ketë frikë nga maska së fytyrës?

Është e kuptueshme që në fillim fëmijët mund të kenë frikë nga maskat e fytyrës. Këtu janë disa ide për t’i bërë ato të duken më pak të frikshme:

  • Shihuni në pasqyrë me maskën e vendosur në fytyrë dhe flisni për të.
  • Vendosni një maskë që është me kafshën e preferuar.
  • Zbukurojini maskat, në mënyrë që ato të jenë më të personalizuara dhe argëtuese.
  • Tregojuni fëmijëve tuaj fotografitë e fëmijëve të tjerë me maska.
  • Vizatoni një maskë në personazhin e tyre të preferuar te libri që po u lexoni.
  • Praktikoni në shtëpi vendosjen e maskës për të ndihmuar fëmijën tuaj të mësohet me të.

Për fëmijët nën 3 vjeç e mira është t’i përgjigjeni pyetjeve të tyre thjesht dhe me gjuhën që ata kuptojnë. Nëse pyesin pse njerëzit mbajnë maska në fytyrë, sqarojini se ndonjëherë njerëzit i veshin kur janë të sëmurë dhe kur shërohen, nuk i mbajnë më.

Për fëmijët mbi 3 vjeç, provoni të përqendroheni te mikrobet. U shpjegoni se mikrobet janë të veçanta për trupin tonë. Disa mikrobe janë të mira dhe disa janë të këqija. Mikrobet e këqija mund të na sëmurin. Meqenëse nuk mund ta dallojmë gjithmonë se cilat janë të mirat e cilat të këqijat, maskat e fytyrës na ndihmojnë të siguroheni që t’i mbajmë mikrobet larg trupit tonë.

Një nga sfidat më të mëdha me fëmijët që të vendosin maskat e fytyrës, ka të bëjë me “të ndjerit ndryshe” apo për shkak të stereotipit: “kur mban maskë je i sëmurë”. Sa më shumë njerëz të vendosin maskat e fytyrës, aq më lehtë fëmijët do të mësohen me to dhe nuk do të ndjehen të veçuar ose të çuditshëm, nëse i veshin.

Po për fëmijët me nevoja të veçanta për kujdes shëndetësor?

  • Fëmijët që konsiderohen me risk të lartë ose me imunitet të kompromentuar, inkurajohen të mbajnë një maskë N95 për mbrojtje.
  • Familjarët e fëmijëve me risk të lartë inkurajohen të përdorin një maskë standarde kirurgjikale, nëse janë të sëmurë, për të parandaluar përhapjen e sëmundjes tek të tjerët.
  • Fëmijët me dëmtime të rënda konjitive apo të frymëmarrjes mund ta kenë vështirë të tolerojnë një maskë fytyre. Për këta fëmijë, mund të nevojiten masa paraprake të veçanta.

A ka ndonjë “mënyrë të duhur” për të vendosur një maskë?

Po. Vendoseni maskën duke mbuluar mirë hundën dhe gojën dhe tendoseni atë nga veshi në vesh. Mos harroni t’i lani duart para dhe pasi ta vendosni dhe mos e prekni më pasi ta keni vendosur në fytyrë. Kur ktheheni në shtëpi, shmangni prekjen në pjesën e përparme të maskës së fytyrës duke e hequr atë nga pas (lidhëset në kokë ose pjesa te veshët). Maskat e fytyrës nuk duhet të vendosen kur hani ose pini.

Lani maskat e fytyrës pas çdo vendosjeje!

Çfarë lloj maske rrobe është më e mira?

Maskat e fytyrës prej rrobe, të bëra në shtëpi ose të blera, janë të përshtatshme për shumicën e njerëzve që t’i veshin. Për fëmijët është e rëndësishme zgjedhja e masës së duhur. Maskat e fytyrës me material të palosur në dysh dhe me llastikë ka të ngjarë të funksionojnë më mirë për fëmijët. Maskat e fytyrës për të rritur janë zakonisht 15×30 cm. Por edhe një maskë me masë për fëmijë 13×25 cm, mund të jetë shumë e madhe për fëmijët e vegjël. Mundohuni të gjeni madhësinë e duhur për fytyrën e fëmijës tuaj dhe sigurohuni që ta rregulloni atë për një vendosje të sigurt.

Siç e përmendëm edhe në fillim, për shkak të furnizimit shumë të kufizuar, maska të shkallës profesionale, si maskat N-95, duhet të jenë të rezervuara për profesionistët mjekësorë në vijën e parë, të cilët kanë rrezikun më të lartë të ekspozimit ndaj koronavirusit.

[1] https://www.healthychildren.org/English/health-issues/conditions/chest-lungs/Pages/Cloth-Face-Coverings-for-Children-During-COVID-19.aspx